Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Konferencën e Sigurisë në Mynih, takoi përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen.
Në takimin e tyre të parë, Kurti uroi Sørensen për emërimin e tij në këtë pozitë të re dhe theksoi progresin e Kosovës gjatë katër viteve të fundit. Ai veçanërisht vuri në pah rritjen ekonomike mesatare prej 6%, si dhe raportin e fundit të BE-së, i cili tregon përmirësime në 36 nga 38 fushat e vlerësimit, pa asnjë regres. Kryeministri theksoi gjithashtu arritjet e Kosovës në fusha të tilla si rishpërndarja sociale, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe avancimi i të drejtave politike dhe të lirive civile. “Kosova është shembull se si zhvillimi dhe demokracia shkojnë krah për krah,” tha Kurti.
Një temë kryesore e diskutimeve ishte edhe dialogu midis Kosovës dhe Serbisë. Kurti theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit të vitit 2023 dhe aneksit të saj. Ai vuri në dukje se Serbia vazhdon të shkelë dhe të mos respektojë këtë marrëveshje, duke refuzuar edhe nënshkrimin e saj. Për më tepër, përmes letrës së ish-kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, Serbia praktikisht është tërhequr nga marrëveshja. Kurti theksoi se, për të ecur përpara, është e nevojshme që Serbia të nënshkruajë marrëveshjen, të tërheqë letrën e Bërnabiq dhe të dorëzojë kryeterroristin Millan Radoiçiq, për të cilin Prokuroria e Kosovës ka përgatitur një aktakuzë 160-faqëshe.
Në fund, Kurti vuri në dukje kontradiktën në qëndrimin e Serbisë, duke thënë se është absurde që presidenti i Serbisë e detyron kryeministrin Millosh Vuçeviq të dorëzojë dorëheqjen, por nuk dorëzon Radoiçiqin, të akuzuar për terrorizëm.