Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, kishte lavdëruar doracakët mbi edukimin seksual gjatë lansimit të tyre, duke theksuar rëndësinë e përmbajtjes që përfshin edhe aspekte sociale dhe gjinore.
Kryeministri Albin Kurti, në anën tjetër, dje foli për një “luftë hibride” dhe një “fushatë të egër propaganduese” që sipas tij po zhvillohet ndaj Qeverisë, pas kritikave të shumta për këta doracakë. Kurti i cilësoi pretendimet si “të pavërteta” dhe shtoi se doracakët ishin hartuar dhe miratuar gjatë qeverisjeve të mëparshme.
Por Nagavci, gjatë lansimit të doracakëve, kishte deklaruar se ishte “nder dhe kënaqësi” për të të prezantonte këto materiale, duke i quajtur ato një hap të rëndësishëm për të përfshirë edukimin seksual në mënyrë gjithëpërfshirëse.
“MASHTI ka bërë një progres drejt përfshirjes së përmbajtjes së edukimit seksual, duke shkuar përtej biologjisë dhe riprodhimit. Doracakët pajisin fëmijët me njohuri për trupin, të drejtat e tyre, barazinë gjinore, identitetin gjinor dhe marrëdhëniet e shëndetshme,” kishte thënë ajo.
Videoja nga lansimi u ripublikua në Facebook nga gazetari Lirim Mehmetaj, ku Nagavci lavdëronte përmbajtjen e doracakëve, duke theksuar rëndësinë e tyre për mësimdhënësit.
“Duke marrë parasysh sfidat në trajtimin e përmbajtjeve të edukimit seksual, MASHTI, me mbështetjen tuaj, po lanson doracakët për mësimdhënës që përfshijnë materiale të përdorshme nga klasa e parë deri në klasën e dymbëdhjetë,” kishte theksuar Nagavci.
Ajo shtoi se “reformat gjithmonë sjellin risi” dhe konsideroi se këto doracakë ishin një “nevojë e kohës.”