VV drejt zgjedhjeve të reja? Haxhiu: Jemi gati për 15 ose 22 qershor – nesër tentim i katërt për Kryetare Kuvendi
Pak para se të dështonte për herë të dytë radhazi në përpjekjen për t’u zgjedhur kryetare e Kuvendit, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, deklaroi se partia e saj është e gatshme të shkojë në zgjedhje të reja më 15 ose 22 qershor.
Ajo tha se kjo gatishmëri vjen pas përmendjes së mundësisë për zgjedhje nga kreu i PDK-së, Memli Krasniqi.
“Po, jemi gati të shkojmë në zgjedhje”, u shpreh shkurt Haxhiu.
Edhe pse Vetëvendosje ka pretenduar vazhdimisht se i ka numrat për zgjedhjen e kryekuvendarit dhe formimin e Qeverisë, votat e nevojshme – 61 gjithsej – nuk po sigurohen. Nesër pritet tentativa e katërt për ta votuar Haxhiun si kryetare Kuvendi.
Ndërkohë, njohësi i çështjeve politike, Albinot Maloku, në një prononcim për RTK, tha se VV duhet të pranojë se nuk ka fituar mandate të mjaftueshme për të qeverisur e vetme.
“Taktikime ka nga të gjitha palët. Nuk shoh ndonjë hap të madh përpara për përmbylljen e kësaj situate”, tha ai, duke shtuar se: “Asnjë nga liderët politikë aktualë nuk po jep ndjesinë e qartë që mund të udhëheqë vendin në rrethana kaq sfiduese. Përgjegjësia megjithatë bie mbi fituesin e zgjedhjeve.”
Nga ana tjetër, analisti Blerim Canaj shpreh dyshime mbi vullnetin e Kurtit për të formuar një Qeveri.
“Kam përshtypjen që ndoshta edhe vetë Kurti nuk është shumë i interesuar për të formuar qeverinë. Gjithmonë është gjetur një kompromis mes palëve, por këtë herë duket se ka tendenca për të shtyrë vendin në zgjedhje të reja, ndoshta edhe bashkë me ato komunale”, u shpreh Canaj.
LDK, ndërkohë, ka paralajmëruar kallëzime penale ndaj çdo vendimi të marrë nga anëtarët e Qeverisë, që janë njëkohësisht deputetë, pas datës 27 mars.
Nesër pritet një tjetër përballje vendimtare në Kuvend, në përpjekje për konstituimin e plotë të tij.