Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, kritikoi Lëvizjen Vetëvendosje për këmbënguljen në mbështetjen e Albulena Haxhiut si kandidate për kryetare të Kuvendit, duke thënë se në demokracitë e zhvilluara kandidatët ndërrohen kur është e nevojshme.
Ai përmendi rastin e Partisë Demokratike në SHBA, duke pretenduar se kjo parti e zëvendësoi presidentin aktual Joe Biden me Kamala Harris si kandidate për zgjedhjet presidenciale.
“Në vende shumë më të zhvilluara, kandidatët ndërrohen edhe gjatë garës. Vetëm vitin e kaluar, Partia Demokratike në SHBA ka ndërruar kandidatin që ishte president në garën presidenciale. Ky insistim i Kurtit për Haxhiun është i pakuptimtë dhe pasqyron pasigurinë e tij, duke qenë se nuk i ka numrat për shumicën parlamentare”, tha Krasniqi.
Ai shtoi se bllokada në Kuvend po i dëmton institucionet dhe qytetarët dhe se Vetëvendosje po refuzon të marrë përgjegjësi, megjithëse kandidatja e tyre nuk ka votat e nevojshme për t’u zgjedhur.
“Do të vazhdojmë të insistojmë në një qasje zhbllokuese. Më vjen mirë që Presidentja e ka pranuar propozimin tonë për një takim të përbashkët me të gjitha partitë politike”, tha ai.