Krasniqi akuzon VV-në: E kthyen Kuvendin në Big Brother, u shpërfill Kushtetuta

Krasniqi: Përmbyllja e seancës shpërfilli Kushtetutën, VV e ka kthyer Kuvendin në Big Brother

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar pas vendimit të kryeparlamentarit Dimal Basha që të konsiderojë të përmbyllur seancën konstituive, ndonëse ende nuk është zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb.

Sipas tij, një veprim i tillë përbën shpërfillje të Kushtetutës dhe rregullores së punës.

“Një gjë është e ditur: nuk varet nga vullneti apo interpretimi i kryetarit të Kuvendit se përfundon apo jo seanca konstituive, kur kjo është e përcaktuar qartë në Kushtetutë dhe në rregulloren e punës. Këta s’mërziten as për njërën, as për tjetrën”, tha Krasniqi.

Ai akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje se me këtë qasje po e thellon krizën politike dhe po vepron me populizëm.

“Kjo është përtej talljes me shtetin, është e rrezikshme. Asnjëherë në historinë e parlamentarizmit të Kosovës nuk ka ndodhur që partia fituese t’ia kthejë Kuvendin në një Big Brother, ku shihet kush eliminohet e kush mbetet. Është një qasje shpërfillëse ndaj Kushtetutës dhe rendit kushtetues”, theksoi ai.