Projektligji parashikon mbledhjen e kontributeve nga qytetarët dhe themelimin e fondit të sigurimit të detyrueshëm shëndetësor, duke sjellë ndryshime të rëndësishme në sistemin shëndetësor të vendit.
Qeveria e Kosovës ka miratuar sot projektligjin për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, një hap kyç në transformimin e sistemit shëndetësor të vendit. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, deklaroi se ky projektligj rregullon çështjen e mbledhjes së kontributeve nga qytetarët për fondin e sigurimeve.
“Kjo nismë ligjore është paraprirë nga një proces i detajuar planifikimi, analizimi dhe diskutimi. Me këtë nismë themelohet fondi i sigurimit të detyrueshëm shëndetësor i Republikës së Kosovës, duke përcaktuar për herë të parë rregullat për listën e barnave të rimbursueshme, që do të transformojë mbështetjen që shteti jep për qytetarët,” u shpreh Vitia.
Ai shtoi se mbledhja e kontributeve nga qytetarët për fondin e sigurimeve do të jetë një burim i rëndësishëm financimi për shëndetësinë në të ardhmen e afërt. Vitia vlerësoi këtë moment si vendimtar për vendin dhe për marrëdhënien qytetar-shtet, duke theksuar se ky ligj do të ngrejë sistemin shëndetësor në një nivel të ri.
“Zbatimi i këtij ligji do të jetë një nga sfidat më domethënëse të qeverisjes sonë, duke ofruar mbështetje të madhe për shëndetësinë dhe qëndrueshmërinë e shpenzimeve për çështjet e shëndetit në të ardhmen,” përfundoi Vitia.