Kompania përballet me sfida logjistike dhe operacionale në përpjekjet për të zbatuar vendimin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, duke shqyrtuar alternativa për të përmirësuar procesin.
KESCO ka njoftuar se ka nisur shpërndarjen e faturave të energjisë elektrike te konsumatorët në zarfe, në përputhje me vendimin e fundit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi. Sipas një njoftimi për media, ky projekt ka nisur si një pilot projekt në muajin maj të këtij viti në disa lokalitete dhe është zgjeruar në të gjitha distriktet nga 22 qershori, për të përfshirë të gjithë konsumatorët në muajin gusht.
“Kjo formë e re e shpërndarjes së faturave pa dyshim që po has në shumë vështirësi për ta implementuar plotësisht. Një nga pengesat kryesore është mungesa e kutive postare, mungesa e adresave të sakta dhe numrat identifikues të shtëpive apo objekteve banesore. Këto faktorë po e vështirësojnë ndjeshëm procesin e dorëzimit të faturave,” theksohet në kumtesën e KESCO-s.
Gjithashtu, KESCO vuri në dukje se futja e të gjitha faturave në zarfe, përveç sfidave në terren, po ngadalëson procesin e leximit dhe faturimit të konsumatorëve. Për këto arsye, kompania po konsideron mundësinë e zbatimit të ndonjë alternative tjetër, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për të gjetur një zgjidhje efikase që do të përfitonte konsumatori fundor.
“KESCO ka mbi 700 mijë konsumatorë në gjithë Kosovën, dhe çështjet operacionale, sidomos në zonat rurale, po e vështirësojnë edhe më tepër realizimin e këtij projekti. Kemi shqyrtuar mundësinë e organizimit të dërgesave postare, por kjo nuk ofron një zgjidhje unike dhe të qëndrueshme për të gjithë konsumatorët fundorë,” përfundon njoftimi.