Kadriaj: S’kemi obligim ta votojmë Albulena Haxhiun – asnjë kontakt me Vetëvendosjen
Një ditë para përpjekjes së 15-të për konstituimin e Kuvendit, deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, ishte e ftuar në emisionin “Frontal” me Arsim Lanin, ku foli për qëndrimin e partisë së saj ndaj kandidatës së propozuar nga Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiun.
“Nuk e kemi obligim me votu Albulena Haxhiun. Zgjedhja e kryetarit dallon nga ajo e nënkryetarëve dhe kjo është e përcaktuar qartë”, u shpreh Kadriaj.
Ajo tha se AAK nuk ka asnjë interes të hyjë në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje. “Ne nuk do të hyjmë në asnjë koalicion me ta. Mjafton të shihni deklaratat e Albin Kurtit dhe Albulena Haxhiut kur Kadri Veseli ishte kandidat për kryetar Kuvendi”, theksoi ajo.
Deputetja kritikoi gjithashtu propozimin për votim të fshehtë për postin e kryeparlamentarit, duke e cilësuar si të papërshtatshëm.
Sipas saj, AAK nuk ka pasur asnjë kontakt me Vetëvendosjen lidhur me çështjen e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.