Hoti e quan hipokrizi deklaratën e Osmanit për Marrëveshjen e Uashingtonit: “E keni kundërshtuar, jo zbatuar”
Presidentja Vjosa Osmani, gjatë një diskutimi në Institutin Hudson në SHBA, është pyetur nëse pritet ndonjë veprim nga administrata amerikane lidhur me Marrëveshjen e Uashingtonit mes Kosovës dhe Serbisë – qoftë për ringjallje, pjesërisht apo tërësisht. Osmani është shprehur shkurt: “Marrëveshja e Uashingtonit është zbatuar.”
Deklarata e saj ka nxitur reagimin e ish-kryeministrit Avdullah Hoti, në kohën e të cilit kjo marrëveshje u nënshkrua. Ai e ka cilësuar qëndrimin e Osmanit si “hipokrizi”, duke kujtuar që në kohën e nënshkrimit, presidentja aktuale kishte deklaruar se marrëveshja cenonte rendin kushtetues dhe dëmtonte interesat strategjike të Kosovës.
“Asgjë e re nga Osmani, vetëm hipokrizi e radhës. Marrëveshjen që dikur e quante rrezik për shtetin, sot e konsideron të zbatuar,” shkroi Hoti në një reagim në rrjete sociale.
Ai shtoi se, sipas tij, as Osmani e as kryeministri Kurti nuk e kanë zbatuar marrëveshjen dhe se tani po përpiqen ta përvetësojnë për përfitime politike, në një kohë kur kanë ndryshuar rrethanat në politikën amerikane.
“Kjo është ajo që ndodh kur fitimi dhe mbajtja e pushtetit bëhen më të rëndësishëm se interesi shtetëror. Marrëveshja që dikur e luftonit për vota, sot shërben për lavdi të rreme,” ka thënë Hoti.
Ndërkohë, gjatë fjalës së saj në Washington, Osmani u shpreh se pret nga një administratë e ardhshme amerikane që të shkojë përtej kësaj marrëveshjeje, duke realizuar iniciativa më të mëdha që kontribuojnë në paqe të qëndrueshme në rajon.