Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se partia e tij ende nuk ka një qëndrim të prerë për të votuar ose jo pro kandidaturës së Dimal Bashës për kryeparlamentar, nëse emri i tij rikthehet sot në sallën e Kuvendit.
Haradinaj tha se Basha nuk është ndër preferencat e AAK-së, pasi sipas tij në krye të Kuvendit duhet të vendoset një figurë me autoritet dhe respekt të plotë.
“Ne do ta kishim preferuar Glaukun. I kemi përmendur edhe emrat tanë të preferuar. Dimali nuk është në preferencën tonë. Megjithatë, do ta shohim. Profili i atij që udhëheq Kuvendin duhet të jetë i dikujt që gëzon autoritet të plotë. Mund t’ia japim edhe Dimalit, por mendoj që VV ka edhe opsione të tjera”, tha Haradinaj.
I pyetur nëse sot do të votojnë pro Bashës në rast se propozohet sërish, ai u shpreh i paqartë:
“S’e di për besë. Nuk kemi vendosur ende. Do ta shqyrtojmë çdo kandidaturë para se të marrim vendim.”
Haradinaj shtoi se AAK nuk po nxiton me qëndrime, duke lënë të hapur mundësinë edhe për mbështetje të Bashës, nëse Vetëvendosje e sheh atë si kandidatin më të mirë:
“Nëse VV e ka më të mirin Dimalin dhe s’ka më të mirë, atëherë mundet edhe ky”, tha ai.