Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë hyn në fazën finale, 14 nëntori afati për mbylljen e mbrojtjes së Thaçit e Krasniqit
Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë po i afrohet fundit. Sipas një vendimi të publikuar sot nga Gjykata dhe të nënshkruar nga gjyqtari Charles L. Smith, e premtja e 14 nëntorit 2025 është caktuar si datë e synuar për përfundimin e çështjes nga ana e mbrojtjes së Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit.
Në vendim thuhet se pas shqyrtimit të parashtrimeve të palëve, listave të dëshmitarëve dhe pyetjeve të kryqëzuara, paneli gjykues ka përcaktuar afatin e fundit për përmbylljen e mbrojtjes. “Caktohet data e synuar për mbylljen e çështjes së Mbrojtjes si për Mbrojtjen e Thaçit ashtu edhe për Mbrojtjen e Krasniqit të premten, më 14 nëntor 2025, ose një javë pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të fundit të Mbrojtjes, cilado që të jetë më e hershme”, thuhet në dokument.
Ky afat shënon hyrjen në fazën përfundimtare të procesit gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së.
