Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës me 73 vota.
Përveç mbështetjes nga grupi i tij parlamentar, Basha ka marrë edhe votat e shumicës së deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Menjëherë pas zgjedhjes, ai mbajti fjalimin e parë si kryeparlamentar, ku falënderoi kolegët dhe theksoi përgjegjësinë e madhe që i është besuar:
“Faleminderit për besimin tuaj. Dua ta shfrytëzoj këtë moment për të falënderuar Avni Deharin dhe Sala Jasharin për udhëheqjen e seancës, si dhe Glauk Konjufcën për drejtimin e Kuvendit gjatë katër viteve të fundit. E ndjej thellë përgjegjësinë që më është dhënë.”
Ai u ndal edhe te sfidat e muajve të fundit, duke theksuar se kriza politike ka shërbyer si një “shkollë demokracie”:
“Ka disa muaj që Kuvendi është përballur me një sfidë të paprecedentë. Por, me gjithë betejat, kjo ka qenë një përvojë që i ka shërbyer demokracisë dhe emancipimit shoqëror.”
Në fjalimin e tij, Basha nuk la pa përmendur sakrificat mbi të cilat është ndërtuar Republika e Kosovës:
“Republika jonë është ngritur mbi gjakun, mundin dhe qëndrueshmërinë e atyre që besuan se e ardhmja ishte më e rëndësishme se jeta e tyre. Një falënderim i veçantë u takon grave dhe nënave tona që sakrifikuan – ato ishin dhe mbeten themeli i shoqërisë sonë. Mos të harrojmë kurrë mirësinë e Nënës Terezë, si dhe sakrificën e nënës Zahide, nënës së Hamzës dhe Adem Jasharit.”
Në fund, kryetari i ri i Kuvendit dha një mesazh bashkimi:
“Si kryetar i Kuvendit pres që të bëhemi bashkë, të kemi debate të hapura e me respekt, të ketë kritika por edhe alternativa. Vetëm kështu mund të ndërtojmë një Kosovë më të drejtë e më të zhvilluar. Kosovën e kemi bashkë – prandaj kërkoj unitetin e të gjithëve.”