Bisedimet me përfaqësuesit amerikanë për planin e paqes në Ukrainë kanë qenë konstruktive, por jo të lehta, ka deklaruar mbrëmë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, në adresimin e tij para konsultimeve të planifikuara me liderët evropianë në ditët në vijim.
Të shtunën, Zelensky zhvilloi bisedime me të dërguarin e posaçëm të presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, dhe me dhëndrin e Trumpit, Jared Kushner. Sot, ai pritet të takohet në Londër me liderët e Francës, Britanisë dhe Gjermanisë. Bisedimet e mëtejshme janë planifikuar të mbahen në Bruksel.
Trump e ka akuzuar Zelenskyn se “ende nuk e ka lexuar” propozimin e ri për marrëveshjen e paqes dhe ka thënë se “nuk është i sigurt nëse Zelensky do të pajtohet me propozimin”. Zelensky, nga ana tjetër, thotë se “përfaqësuesit amerikanë i njohin qëndrimet bazë të Ukrainës”.
Shefi i ushtrisë ukrainase: Po bëjmë ndryshime, kemi problem kritik me personelin
Komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase ka njoftuar ndryshime në trajnimin bazë të rekrutëve, me qëllim përmirësimin e cilësisë së ushtarëve që hyjnë në ushtri, ndërsa vendi po përballet me mungesë personeli.
Gjenerali Oleksandr Syrskyi thotë se kohëzgjatja e trajnimit bazë për rekrutët po zgjatet në 51 ditë dhe po futen trajnime të specializuara dhe periudha përshtatjeje.
Masat synojnë të sigurojnë që forcat të kenë “një ushtar vërtet të gatshëm për luftë” në vijën e parë të frontit, thotë Syrskyi.
Në fushëbetejë, Ukraina po lufton për të siguruar fuqinë e nevojshme njerëzore për t’u përballur me forcat ruse që kanë epërsi numerike.
Sipas raporteve, Kievi po përballet edhe me rënie të cilësisë së ushtarëve që mund të dislokojë, ndërsa lufta vazhdon.