Dy vjet pa aktakuzë për Banjskën, Radoiçiq i lirë në Beograd
Kanë kaluar dy vjet nga sulmi i armatosur në Banjskë të Zveçanit, por në Serbi ende nuk është ngritur aktakuzë ndaj Millan Radoiçiqit, i cili publikisht mori përgjegjësinë për organizimin e tij. Ai vazhdon të jetë i lirë dhe me adresë të regjistruar në Beograd.
Gjykata e Lartë në Beograd ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se Radoiçiqit i është zgjatur masa e ndalimit të largimit nga Serbia, me detyrimin të paraqitet dy herë në muaj në polici. Sipas gjykatës, ai i respekton këto masa dhe së fundi është paraqitur më 15 shtator në stacionin policor “Savski Venac”.
Megjithëse në fund të vitit 2024 kryeprokurori i Beogradit paralajmëroi aktakuzë, deri sot nuk ka asnjë lëvizje konkrete. Analistët në Serbi thonë se procesi po ndikohet nga politika dhe mungesa e vullnetit të autoriteteve.
Kosova e cilëson sulmin në Banjskë si akt terrorist, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, dhe ka lëshuar fletarrestime ndërkombëtare për të dyshuarit. Megjithatë, Beogradi refuzon ekstradimin e tyre, duke deklaruar se do të gjykohen brenda Serbisë – një proces që ende nuk ka nisur.