Gjermania kërkon shtytje të re për zgjerimin e BE-së me Ballkanin Perëndimor
Procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor – Malin e Zi, Serbinë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Kosovën – është ngadalësuar ndjeshëm dhe pa përparim konkret.
Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, gjatë një takimi në Zagreb me homologun kroat Gordan Grlic Radman, bëri thirrje për një shtysë të re të zgjerimit të BE-së, duke përfshirë edhe Ukrainën e Moldavinë.
“Tani duhet t’i japim një shtysë të re zgjerimit për Ukrainën, Moldavinë dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor. Shpresoj që Kroacia të luajë një rol aktiv dhe vendimtar si një shoqëruese e këtij procesi”, tha Wadephul.
Sipas tij, anëtarësimi në BE nuk është vetëm çështje teknike, por edhe gjeopolitike, meqë vendet e rajonit nuk duhet të mbeten të ekspozuara ndaj ndikimeve të autokratëve, dezinformimit dhe korrupsionit.
Aktualisht:
-
Mali i Zi shihet si më i avancuar në proces, por pa datë të pranimit.
-
Serbia është në negociata që nga 2014-ta.
-
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i nisën negociatat në 2022.
-
Bosnja ka status kandidati, por s’ka hapur negociatat.
-
Kosova është vetëm “kandidat potencial”.
Wadephul theksoi se Kroacia ka rol kyç si vendi më i ri anëtar i BE-së dhe si urë lidhëse me Ballkanin Perëndimor. Radman, nga ana e tij, tha se Kroacia është aktive në procesin e negociatave dhe se Ballkani Perëndimor nuk duhet të mbetet “në vakum gjeostrategjik”.