Detaje nga e kaluara e “Flori Official”, banorit të ri të Big Brother VIP

Prej dy ditësh, “Flori Official” është bërë pjesë e shtëpisë së Big Brother VIP Albania, duke u prezantuar nga produksioni si një figurë e njohur e rrjeteve sociale.

Hyrja e tij në reality show u realizua në një mënyrë të veçantë, e konceptuar si një nga reklamat e tij të zakonshme të shitjeve online, çka tërhoqi menjëherë vëmendjen e publikut dhe të banorëve brenda shtëpisë.

Megjithatë, gjatë prezantimit nuk u bë publik emri i tij i vërtetë. Audiencës iu ofrua vetëm nofka “Flori Official”, emri me të cilin ai njihet në internet, pa ndonjë sqarim shtesë lidhur me identitetin personal.

Sipas raportimeve të mediave, emri i tij i vërtetë është Florian Prini, një person që, sipas burimeve mediatike italiane, është përmendur në të kaluarën në lidhje me një çështje penale.

Mediat në Itali kanë raportuar që në shkurt të vitit 2015 për goditjen e një rrjeti prostitucioni, ku Prini përmendej si një nga personat e dyshuar të përfshirë. Hetimet, sipas këtyre raportimeve, kishin nisur më 16 qershor 2014, pas një incidenti të dhunshëm mes disa prostitutave, i cili përfundoi me plagosjen me thikë të një gruaje të re.

Gjatë hetimeve disa mujore, autoritetet italiane kishin rindërtuar mënyrën e funksionimit të rrjetit, duke evidentuar përplasjet mes prostitutave që vepronin në mënyrë të pavarur dhe atyre që, sipas policisë, kontrolloheshin nga një çift shqiptar.

Sipas raportimeve, karabinierët arrestuan Florian Prinin dhe partneren e tij, Fabiana Hoxha. Prini rezultonte rezident i ligjshëm në Itali, ndërsa Hoxha ishte e regjistruar si emigrante. Vendbanimi i tyre në Torre Pedrera ishte identifikuar si pikë kyçe e aktivitetit të dyshuar.

Aktualisht, mbetet e paqartë nëse produksioni i Big Brother VIP Albania ka zgjedhur të mos bëjë publik identitetin e plotë të “Flori Official” për shkak të kësaj të shkuare, apo nëse vetë banori ka preferuar të mos e ndajë historinë e tij personale me publikun. /IconStyle/