Të mërkurën, përmes rrjeteve sociale, është raportuar se Jon Hoti kishte organizuar një takim me Rexhep dhe Albison Shlivova në një lokal në qendër të Klinës. Gjatë këtij takimi, sipas dosjes së prokurorisë, të cilën e ka siguruar KALLXO, 19-vjeçari Jon Hoti dyshohet se ka nxjerrë fshehurazi një armë zjarri dhe ka shtënë drejt dy viktimave, duke i plagosur. Për pasojë, Rexhep dhe Albison Shlivova nuk kanë mundur t’i mbijetojnë plagëve që kishin marrë.
Ky është përshkrimi i ngjarjes së vrasjes së dyfishtë në Klinë, megjithatë deri tani nuk është zbuluar me saktësi motivi që ka shtyrë Jon Hotin, tashmë të dyshuarin kryesor, të kryente veprën penale të vrasjes së rëndë.
U raportua se pas ngjarjes, forcat policore janë vendosur në afërsi të shtëpive të viktimave dhe të dyshuarit, pasi tensionet mes familjeve janë rritur.
Një deklaratë e një familjari të viktimave, e cila dyshohet të jetë dhënë në Spitalin Rajonal të Pejës, mbështet këtë informacion. Ajo është përfshirë edhe në një raport të një oficeri policor të pranishëm në spital.
“Shteti ka dështuar plotësisht, nuk ka rëndësi që ma vranë djalin, sepse do ta nxjerr gjakun deri sa të bëhet sabahu, pasi më kanë bërë dy xhenaze” – citohet të ketë thënë familjari i viktimave gjatë qëndrimit të tij në spital.
Pas dyshimeve për kryerjen e krimit, Jon Hoti nuk është arrestuar menjëherë në vendin e ngjarjes, por pas disa orësh ai ka vendosur të dorëzohet te organet e rendit.
Avokati i Jon Hotit, gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë, shprehu ngushëllime për familjen Shlivova.
“Shpreh ngushëllime më të sinqerta për familjen Shlivova dhe ndiej keqardhje për këtë ngjarje tragjike dhe situatën e vështirë në të cilën ndodhen” – tha avokati i të dyshuarit gjatë seancës.
Ai gjithashtu nuk e kundërshtoi masën e sigurisë, paraburgimin, të cilin e kishte kërkuar Prokuroria Themelore në Pejë.
Edhe Jon Hoti, gjatë fjalës së tij, mbështeti deklaratën e avokatit të tij dhe pranoi masën e paraburgimit.
Prokuroria ka propozuar që të intervistohen persona të tjerë të lidhur me rastin për të zbardhur në detaje motivin e vrasjes dhe mundësitë e mundshme të mosmarrëveshjeve mes viktimave dhe të dyshuarit.
Më 13 nëntor 2024, në orët e mbrëmjes, në Klinë u raportua për të shtëna armësh brenda një lokali/kafeneje. Dy persona u plagosën nga arma e zjarrit; njëri u konfirmua i vdekur në vend, ndërsa tjetri vdiq më vonë.
Ekipet e policisë ishin të pranishme në vendin e ngjarjes, dhe dy prokurorë të krimeve të rënda nga Prokuroria e Pejës morën pjesë në hetimet përkatëse.
Sipas informacionit të siguruar nga KALLXO më 14 nëntor 2024, Prokuroria e Pejës ka konfirmuar se janë vendosur pika statike të policisë në fshatin ku ndodhen familjet e viktimave dhe të dyshuarit, për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.
“Prokurori i çështjes ka vlerësuar që në fshatin përkatës, ku ndodhen familjet e viktimës dhe të pandehurit, të vendosen pika statike të policisë për të shmangur përshkallëzimin e mundshëm të situatës” – tha Nikçi.
Për këtë rast janë deklaruar edhe prokurorja e Prokurorisë së Pejës, Sahide Gashi, dhe drejtori i Policisë Rajonale të Pejës, kolonel Shaban Shala.