Dështimi i 26-të: Seanca konstituive e Kuvendit sërish pa rezultat, mungojnë votat për zgjedhjen e kryeparlamentarit
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka dështuar për të 26-ën herë me radhë, pa arritur të çojë përpara procesin e formimit të institucioneve.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e hodhi në votim formimin e Komisionit për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Ky komision dështoi të miratohet për të 18-ën herë. Nga 111 deputetë të pranishëm, vetëm 53 votuan pro, një kundër dhe nuk pati asnjë abstenim.
Para votimit, Dehari ftoi përfaqësuesit e grupeve parlamentare në një konsultë të shkurtër, por kjo nuk solli ndonjë ndryshim në rrjedhën e seancës. Që nga 1 maji, kur nisi ky proces, Vetëvendosje ka tentuar disa herë që ta zgjedhë Albulena Haxhiun si kryetare të Kuvendit, por pa sukses.
Deri tani, deputetët kanë arritur të miratojnë vetëm dy pika të rendit të ditës: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe betimin e deputetëve.
Ndërkohë që brenda dhe jashtë vendit po shtohen thirrjet për formimin e institucioneve, Kuvendi vazhdon të mblidhet çdo 48 orë – pa asnjë rezultat konkret.