Deputetët garantonin “numrat”, por Kuvendi mbeti pa kryetar – Kurti vazhdon të heshtë
Partitë politike sot bënë një hap përpara në drejtim të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke miratuar raportin për verifikimin e mandateve të deputetëve. Ky veprim i hapi rrugë fazës tjetër – zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit – por aty u pa se Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka votat e mjaftueshme për ta realizuar këtë hap.
Edhe pse Albin Kurti nuk u shpreh qartë nëse i ka 61 votat e nevojshme, deputetët e tij vazhduan të deklarojnë me bindje se i kanë. “I kemi numrat”, “Patjetër që i kemi”, “63 vota” – ishin disa nga deklaratat që u dhanë ditëve të fundit, për të krijuar përshtypjen se Vetëvendosje ishte e gatshme ta formonte jo vetëm Kuvendin, por edhe Qeverinë.
Por kjo nuk ndodhi. Sot, edhe pas miratimit të raportit për mandatet, VV-ja nuk arriti të sigurojë votat për zgjedhjen e Albulena Haxhiut si Kryetare e Kuvendit. Kjo është hera e tretë që dështojnë përpjekjet për konstituim të plotë të legjislaturës.
Në seancën e parë me 15 prill, Vetëvendosje nuk arriti ta kalojë as raportin e Komisionit për Mandate. Me 17 prill, për mungesë shumice, raporti as nuk u hodh fare në votim. Vetëm sot, me përkrahjen e disa partive tjera, ky hap u përmbyll me sukses – por sërish pa zgjedhje të kryetarit të Kuvendit.
Deputeti Arbër Rexhaj ishte ndër të parët që konfirmonte me siguri se VV i ka numrat. “I kemi numrat për ta bërë këtë gjë. Tash mbetet te kryeministri të vendosë për emrin e kryeparlamentarit”, deklaroi ai. Edhe Ejup Maqedonci theksonte: “Patjetër që i kemi numrat. Vetëvendosje është fituese, dhe opozita e di këtë”.
Në të njëjtën linjë shprehej edhe Faton Peci, që deklaronte qartë: “VV i ka numrat për të formuar qeverinë e re”. Halil Thaçi shkoi më larg, duke thënë se VV i ka 63 vota dhe se Albin Kurti do të jetë sërish kryeministër, ndërsa Glauk Konjufca – kryeparlamentar.
Deputetja Arbëresha Kryeziu-Hyseni gjithashtu besonte në formimin e Qeverisë Kurti 3: “Unë besoj që i kemi numrat”, tha ajo.
Por përballë kësaj zhurme, Albin Kurti vazhdoi të heshtë. Në çdo paraqitje të tij publike, ai ka refuzuar të përgjigjet përballë gazetarëve, pa dhënë as edhe një koment të vetëm për ecurinë e negociatave apo për mbështetjen që pretendon ta ketë.
Kjo heshtje, krahas deklarimeve të zëshme të deputetëve të VV-së, po shton edhe më shumë pasigurinë për shumicën parlamentare. Shto këtu edhe faktin se NISMA, partia që shihej si opsioni më i afërt për koalicion, sot nuk votoi pro Albulena Haxhiut. Kjo u interpretua si mungesë mbështetjeje dhe sinjal jo i mirë për një marrëveshje të mundshme ndërmjet tyre.
Për momentin, pavarësisht retorikës së Vetëvendosjes, faktet tregojnë të kundërtën: shumica mungon dhe procesi i konstituimit mbetet i bllokuar. /Gazeta Express