Bashkimi Evropian ka vendosur që Kosova dhe shtatë vende të tjera të kategorizohen si “vendet të sigurta” për azil, sipas një komunikate të publikuar nga Këshilli Evropian.
“Sot, Këshilli ka miratuar qëndrimin e tij mbi dy aktet ligjore të BE-së, të cilat do të forcojnë zbatimin praktik të koncepteve kryesore mbi vendet e sigurta në rregullat e azilit të BE-së. Këto ligje të reja për migracionin synojnë vendosjen e procedurave më të shpejta dhe më efektive të azilit për ata që nuk duhet të marrin mbrojtje brenda BE-së”, thuhet në komunikatë.
Me këtë vendim, Kosova është përfshirë në listën e vendeve të sigurta të origjinës, çka nënkupton se aplikimet për azil nga qytetarët kosovarë mund të trajtohen me procedura të përshpejtuara. Përfshirja e Kosovës bazohet në vlerësimin se vendi ofron mbrojtje të mjaftueshme kundër persekutimit dhe shkeljeve të rënda të të drejtave themelore.
Megjithatë, futja e Kosovës në këtë kategori nuk nënkupton refuzim automatik të kërkesave për azil. Çdo aplikim individual do të shqyrtohet nëse ekzistojnë rrethana specifike që justifikojnë mbrojtje.
Në komunikatë theksohet se rregullorja e re rishikon konceptin e “vendit të sigurt të tretë”, duke zgjeruar rrethanat në të cilat një kërkesë për azil mund të refuzohet si e papranueshme. Për herë të parë, BE ka miratuar listën e përbashkët të vendeve të sigurta të origjinës, e cila u mundëson shteteve anëtare të trajtojnë kërkesat për mbrojtje ndërkombëtare në mënyrë të përshpejtuar.
Përveç Kosovës, vendet e tjera të cilat konsiderohen zyrtarisht të sigurta janë: Bangladeshi, Kolumbia, Egjipti, India, Maroku dhe Tunizia. Sipas Këshillit, procedurat e përshpejtuara pritet që në shumicën e rasteve të përfundojnë me refuzim të kërkesës për azil ose me zhvendosjen e shqyrtimit në një vend të tretë të sigurt, nga i cili aplikanti ka kaluar.
Koncepti i “vendit të sigurt të tretë” i mundëson shteteve anëtare të refuzojnë kërkesën për azil kur aplikanti ka pasur mundësi të kërkojë mbrojtje në një vend jo anëtar të BE-së, i cili është konsideruar i sigurt. Rregullorja e re zgjeron bazat për refuzim dhe parashikon që shqyrtimi i kërkesave të mund të kryhet edhe në vende të treta të sigurta.