Eugen Cakolli: Rezultatet e zgjedhjeve i kanë “barrikaduar” partitë, VV po kalkulon zgjedhjet lokale dhe parlamentare njëkohësisht
Eugen Cakolli nga Demokraci në Veprim ka shprehur shqetësime lidhur me procesin e certifikimit të rezultateve dhe formimin e qeverisë së re. Sipas tij, rezultatet e zgjedhjeve kanë sjellë një impas, ku asnjë parti nuk duket e gatshme të ndërmarrë hapa për të përshpejtuar procesin.
“Për herë të parë kemi një situatë ku rezultatet i kanë ‘barrikaduar’ partitë politike. Asnjëra nuk ka interes që të certifikohen rezultatet ose të formohet qeveria e re. Në të njëjtën kohë, KQZ po tregon indiferencë dhe nuk po ndërmerr asgjë për ta përshpejtuar këtë proces,” ka thënë Cakolli.
Ai beson se kjo situatë i konvenon Lëvizjes Vetëvendosje (VV), e cila po kalkulon mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve lokale dhe parlamentare njëkohësisht. Kjo, sipas tij, mund të jetë një strategji për të balancuar rezultatet e dobëta të VV-së në zgjedhjet lokale.
“Në bazë të sjelljes aktuale të partive, është shumë e mundur që formimi i institucioneve të zvarritet. Kjo i përshtatet VV-së, e cila mund të jetë duke planifikuar të mbajë zgjedhjet lokale dhe parlamentare në të njëjtën kohë. Kjo ndodh sepse VV-ja e di që performanca e saj në zgjedhjet lokale ka qenë më e dobët,” ka shpjeguar Cakolli.
Ai paralajmëroi gjithashtu se procesi i certifikimit të rezultateve mund të zgjasë deri në një muaj. “Me ritmin aktual të numërimit të votave, nuk pres që të kemi rezultate përfundimtare nga KQZ për 3-4 javë. Mund të arrijmë në fund të marsit ose edhe më vonë. Do të ishte ironi nëse rezultatet përfundimtare të publikohen më 1 Prill, Ditën e Gënjeshtrave,” ka thënë ai.
Cakolli theksoi gjithashtu ndarjen e mandateve midis partive dhe ndikimin e mundshëm të votave të diasporës. “Aktualisht, raporti i mandateve midis partive shqiptare është 47 për VV-në dhe 53 për partitë e opozitës – 25 për PDK-në, 20 për LDK-në dhe 8 për AAK-në. Me rreth 90 mijë vota nga diaspora, mund të ketë ndryshime, por ato do të jenë minimale. Në skenarin më optimist, VV-ja mund të fitojë 2 mandate të tjera. Megjithatë, nëse VV-ja merr 40 mijë vota nga diaspora, mund të humbasë një mandat,” ka deklaruar ai.