Cakolli: ‘Shpikjet’ e Bashës s’kanë vlerë juridike, Kushtetuesja mund ta shpallë të dështuar konstituimin e Kuvendit
Eugen Cakolli nga KDI ka reaguar pas konstatimit të kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, se seanca konstituive është përmbyllur edhe pse nuk është zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb.
Sipas Cakollit, ky konstatim është vetëm një “shpikje” e kryeparlamentarit dhe nuk ka asnjë bazë juridike. Ai tha se Kuvendi nuk mund të procedojë më tej pa zgjedhjen e të gjithë nënkryetarëve.
“Seanca konstituive nuk mund të konsiderohet e përmbyllur pa zgjedhjen e të gjithë nënkryetarëve. Rrjedhimisht, nuk mund të ketë ushtrim funksionesh parlamentare apo rrjedhje të afateve kushtetuese. Konstatimet e kryetarit nuk kanë asnjë vlerë juridike”, theksoi Cakolli.
Ai shtoi se kriza mund të zgjidhet vetëm nga Gjykata Kushtetuese, e cila ose mund të konstatojë dështimin e konstituimit brenda afatit 30-ditor, ose të shpallë të pavlefshme votimin për nënkryetarët e komuniteteve dhe të përsërisë procedurën.
Cakolli theksoi se edhe një herë tjetër u dëshmua absurditeti i kësaj legjislature, e cila sipas tij nuk i meriton pozitat që mban.