Vetëm disa ditë para zgjedhjeve, autori dhe gazetari i njohur Michael Wolff ka zbuluar një histori të re që mund të ketë pasoja politike. Sipas Newsweek, Wolff pretendon se ish-presidenti amerikan Donald Trump dhe financieri i diskredituar Jeffrey Epstein kishin bërë një bast se cili prej tyre do të afronte më parë Princeshën Diana.
Wolff, i njohur për trilogjinë e tij mbi administratën Trump, përfshirë librat “Fire and Fury”, “Siege: Trump Under Fire” dhe “Landslide,” pretendon se ka marrë informacionin nga një burim i fshehtë që kishte lidhje të ngushta me Trump dhe Epstein. Në episodin e fundit të podcast-it të tij, gjithashtu titulluar Fire and Fury, Wolff ka sjellë akuzat e reja për lidhjen e ngushtë midis Trump dhe Epstein, një shkelës i dënuar seksual që vdiq në burg në vitin 2019.
Sipas Wolff, Epstein kishte treguar gjithashtu foto ku Trump shfaqej pranë femrave të reja. Wolff pretendon se fotot, të ruajtura në një kasafortë që më vonë u sekuestrua nga FBI-ja, ishin realizuar në Palm Beach në fund të viteve ’90, në rezidencën e Epstein, ku ai dyshohet se kishte abuzuar dhjetëra vajza të mitura.
Këto akuza kanë shkaktuar reagime të forta dhe vijnë vetëm pesë ditë para zgjedhjeve të nxehta midis Trump dhe zëvendëspresidentes Harris. Trump, pavarësisht përpjekjeve të shumta nga mediat për një përgjigje, ende nuk ka komentuar këto akuza.