Basha shpall të mbyllur konstituimin e Kuvendit pa nënkryetarin serb, LDK e PDK bojkotojnë mbledhjen e Kryesisë
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, të shtunën shpalli të mbyllur seancën konstituive, ndonëse ende nuk është zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb. Ai ka thirrur për sot një mbledhje të Kryesisë, por PDK e LDK kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë.
Në një komunikatë, PDK tha se Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituuar pa përbërjen e plotë të Kryesisë. “Në këto rrethana, PDK e konsideron të pakuptimtë ftesën për takim të Kryesisë së Kuvendit që nuk është konstituuar dhe nuk merr pjesë në takime të tilla, të cilat i shërbejnë vetëm agjendave partiake e jo interesit të shtetit”, thuhet në reagim.
Ndërkaq, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e quajti vendimin e Bashës antikushtetues. “S’marrim pjesë në çmenduri të tilla”, u shpreh ai, duke theksuar se seanca nuk mund të konsiderohet e përfunduar pa zgjedhjen e të gjithë nënkryetarëve, siç përcakton Kushtetuta.
Edhe njohës të zhvillimeve politike e kanë cilësuar veprimin e Bashës të pabazë, duke theksuar se Kuvendi nuk mund të jetë i konstituuar pa zgjedhjen e plotë të Kryesisë.