IKD: Osmani të mos kërkojë mandatarin nga VV, por ta dërgojë rastin në Kushtetuese
Hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj, ka deklaruar se presidentja Vjosa Osmani nuk duhet t’i kërkojë mandatarin Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e qeverisë, por të drejtohet në Gjykatën Kushtetuese për të sqaruar nëse janë shkelur parimet kushtetuese dhe garancitë për komunitetet jo shumicë gjatë votimit për nënkryetarin e Kuvendit nga komuniteti serb.
Në një intervistë për Ekonomia Online, ai kujtoi se Lista Serbe tashmë ka dërguar lëndë në Kushtetuese, e cila ka afat 60 ditë për të vendosur. Sipas tij, Osmani rrezikon të krijojë një situatë të paqëndrueshme nëse vepron pa një sqarim paraprak nga kjo gjykatë.
“Paramendoni sikur të formohej qeveria dhe më pas Gjykata Kushtetuese ta rrëzonte Kuvendin. Do të kishim një qeveri jo kushtetuese nga një Kuvend jo kushtetues”, tha Jakaj, duke shtuar se gjykata mund të vendosë edhe masa të përkohshme.
Ai akuzoi kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, se ka shkelur Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit, duke proceduar gabimisht votimin e nënkryetarëve nga komunitetet jo shumicë. “Kemi një Kuvend që pretendohet nga Basha si i konstituar, por që në fakt është jo kushtetues dhe ka nisur punën me një mbledhje të parë të paligjshme”, tha ai.
Jakaj theksoi se Basha do të duhej ta përsëriste votimin në pako për nënkryetarët e komuniteteve, duke respektuar aktgjykimet e mëhershme të Kushtetueses dhe rregulloren e Kuvendit.