Basha s’mblodhi Kryesinë për mungesë kuorumi: Kuvendi nuk mund të mbetet i bllokuar për një nënkryetar
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, nuk arriti të mbajë sot mbledhjen e Kryesisë, pasi munguan nënkryetarët e tjerë të zgjedhur jashtë partisë së tij, të cilët e konsiderojnë jokushtetues shpalljen e Kuvendit si të konstituuar.
Duke arsyetuar vendimin e tij, Basha tha se ka pasur “përgjegjësi” për ta funksionalizuar Kuvendin dhe se për të ka qenë “shumë e rëndësishme” shpallja e tij si i konstituuar.
“Kuvendi nuk duhet të mbetet jofunksional për shkak të moszgjedhjes së një kryetari. Nuk ka logjikë të bllokohet Kuvendi i Republikës për moszgjedhjen e një nënkryetari”, tha ai, duke iu referuar postit që i takon komunitetit serb.
Ai theksoi se, sipas rregullores, kryetari është përgjegjës për zbatimin dhe interpretimin e saj. Basha shtoi se Gjykata Kushtetuese ka heshtur në rastet kur asnjëri nga kandidatët për nënkryetar nuk merr votat e mjaftueshme.
“Në të kundërtën, do të bllokohej shteti. Është e domosdoshme të vazhdojë rrjedhja e afateve me caktimin e mandatarit dhe të kemi institucione funksionale, siç presin qytetarët dhe miqtë ndërkombëtarë”, deklaroi Basha.