Albulena Haxhiu nuk zgjidhet kryetare e Kuvendit as në tentimin e dytë
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka dështuar sërish të zgjidhet kryetare e Kuvendit të Kosovës, pasi nuk arriti të sigurojë 61 votat e nevojshme.
Në votimin e dytë të mbajtur të premten, Haxhiu mori 57 vota për, 19 kundër dhe 3 abstenime – rezultat që nuk mjafton për të fituar postin e kryeparlamentares. Edhe në votimin e parë, rezultati ishte i njëjtë: 57 vota për, 20 kundër dhe 3 abstenime.
Gjatë seancës, ish-kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, u lut deputetëve të mbështesnin kandidaturën e Haxhiut, duke theksuar se kjo pozitë i takon partisë fituese – Vetëvendosjes.
“Ju lus si kolegë që ta votoni këtë propozim, sepse kështu nuk bëhemi pjesë e bllokimit. T’i thërrasim arsyes dhe të ecim përpara me formimin e institucioneve,” tha Konjufca.
Megjithatë, përpjekja e dytë për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit rezultoi pa sukses. Kryesuesi Avni Dehari njoftoi se seanca do të ndërpritet për 48 orë dhe do të vazhdojë të hënën në orën 15:00.