Arben Gashi: Votimi i Rexhepit veçmas nga nënkryetari serb ishte gabim teknik
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka deklaruar se zgjedhja e deputetes Emilia Rexhepi si nënkryetare e Kuvendit nga komunitetet pakicë jo-serbe ka ndodhur për shkak të një “gabimi teknik”.
Sipas tij, deputetët kishin menduar se votimi do të bëhej në pako, bashkë me nënkryetarin serb, e jo veçmas.
“Ai ishte një veprim që nuk ka qenë i parashikuar. Për aq sa kuptova, ka qenë një gabim teknik, sepse nuk ka dashur të marrë pjesë. Thjesht nuk e ka pritur që po ndodh diçka e tillë. Për mendimin tim, ishte një gabim teknik”, tha Gashi.
Ky zhvillim ka krijuar një ngërç të ri në Kuvend, pasi kandidatura e Listës Serbe nuk mori mbështetjen e nevojshme, ndërsa procedimi me short nuk solli rezultat. Asnjë kandidat nuk arriti të marrë 61 vota, ndërkohë që Nenad Rashiq ka edhe një mundësi të fundit pas dy dështimeve radhazi. Çështja pritet të trajtohet edhe në Gjykatën Kushtetuese.