Presidenti Donald Trump u përfol gjerësisht në vitin 2011, pasi u fotografua sikur po puthte ish–Miss Albania, Angela Martini, ndonëse ishte i martuar me Melania Trump. Ngjarja ndodhi gjatë një fotosesioni të Miss Universe në New York, ku Martini ishte e ftuar si ish–konkurrente. Fotot krijuan idenë e një puthjeje në buzë, por pas gati 15 vitesh, Angela tregon për “Daily Mail” çfarë ka ndodhur në të vërtetë.
Ajo rikthehet fillimisht te Miss Universe 2010, ku garonte për Shqipërinë. Martini thotë se gjatë provave ishte e ulur në një qoshe, e dëshpëruar nga ajo që i quante “favorizime”:
“I pashë njerëz që supozohej të ishin neutralë, por po favorizonin disa vajza që në fillim,” rrëfen ajo.
Sipas saj, Trump e kishte vënë re papritur dhe e kishte pyetur presidenten e atëhershme të Miss Universe, Paula Shugart, se kush ishte “vajza shqiptare”. Shugart ishte përgjigjur:
“Ajo është shumë e vështirë, ka qëndrime, nuk i ndjek rregullat.”
Megjithatë, Trump kishte këmbëngulur ta njihte. Angela tregon se ai i ishte afruar, ishte prezantuar dhe më pas i kishte thënë Shugart:
“Dua që ajo të shkëlqejë.”
Martini përfundoi e gjashta në Miss Universe dhe thekson se Trump ishte korrekt dhe profesional gjatë gjithë kohës:
“Ai ishte shumë i sjellshëm. Nuk flirtonte kurrë. Ishte shumë profesional.”
Ajo thotë se kjo dëshmi bie ndesh me akuzat e mëparshme të disa ish–konkurrenteve, të cilat stafi i Trump i ka cilësuar si “pa bazë”.
“Puthja” që u bë virale
Në vitin 2011, një foto e saj me Trump u bë lajm ndërkombëtar, pasi dukej sikur ata po putheshin. Angela sqaron:
“Ishte thjesht një iluzion optik.”
Ajo shpjegon se këndi i kamerës e kishte shtrembëruar momentin, duke e bërë të dukej më intim sesa ishte në realitet. Sipas saj, ata thjesht i kishin dhënë njëri-tjetrit një puthje në faqe:
“Duket çuditshëm në foto, edhe sepse një vajzë tjetër në krah ka një shprehje sikur është e habitur.”
Martini thotë se asokohe u gjykua rëndë nga publiku, por nuk e la ta dëmtonte, sepse “njoh të vërtetën time.” Ajo shton se Trump dhe ekipi i tij nuk e kanë kontaktuar kurrë për këtë çështje, pasi “nuk ishte e vërtetë”.
Vite më pas, ajo thotë se është takuar sërish me Trump dhe Melania: “Të dy ishin shumë të sjellshëm. Kam pasur gjithmonë një marrëdhënie respektuese me të. Nuk kam ndjerë kurrë energji të keqe.”
Romanca e shkurtër me Kanye West
Pas Miss Universe, Martini thotë se një ditë është kontaktuar rastësisht nga Kanye West, pasi reperi e kishte parë në një tapet të kuq dhe kishte gjetur numrin e saj. Ai e kishte ftuar për drekë në ABC Kitchen në New York.
“Ai ishte me truprojen e tij dhe thjesht po më komplimentonte orën dhe çantën. Atij i pëlqen të vërë re detajet e modës,” tregon ajo.
Më pas, Kanye e kishte ftuar në studio për t’i dëgjuar projektet e reja muzikore, por lidhja ishte shuar shpejt, pasi Angela shpesh mërzitej.
“Ai më thoshte: ‘Si mund të mërzitesh me mua? Të gjithë duan të jenë këtu dhe të dëgjojnë muzikë të re’. Por unë i thoja: ‘Nuk dua të rri gjithë ditën këtu. Dua të bëj edhe gjëra të tjera’.”
Në fund të atij viti, Kanye e kishte telefonuar për t’i thënë se duhej të shkëputeshin, pasi do të fillonte të takohej me Kim Kardashian.
Dashuria, martesa dhe divorci
Më vonë, Angela u martua me biznesmenin rumun Dragos Savulescu, i cili për vite u përball me akuza për korrupsion dhe përvetësim, akuza nga të cilat u shpall i pafajshëm. Megjithatë, në tetor ajo paraqiti kërkesën për divorc.
“Kemi pasur një histori shumë të bukur, intensive dhe jashtëzakonisht të rëndë. Luftonim kundër një sistemi. Por pesha mbetet. Ndjeva se ishte gjëja e duhur në atë moment,” thotë ajo.