Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sot rreth orës 04:30 në rrugën Prishtinë–Ferizaj, ku për pasojë ka humbur jetën një person.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka konfirmuar për Gazetën Express se në aksident ka qenë i përfshirë një automjet dhe se dy persona kanë pësuar lëndime të rënda trupore.
“Sot rreth orës 04:30, ka ndodhur një aksident trafiku në rrugën Prishtinë–Ferizaj, ku ka qenë i përfshirë një automjet. Si pasojë e aksidentit, dy persona kanë pësuar lëndime të rënda trupore. Fatkeqësisht, njëri prej tyre nuk ka arritur t’i përballojë plagët dhe ka ndërruar jetë. Vdekja e viktimës (mashkull) është konstatuar nga ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes,” ka deklaruar Ahmeti.
Rasti është duke u hetuar nga njësia rajonale e trafikut, ka shtuar ajo.