Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se takimi i sotëm i ftuar nga presidentja Vjosa Osmani ka për qëllim vetëm diskutimin rreth zgjedhjeve lokale.
“Do të caktohet data e zgjedhjeve lokale. Kjo është tema e diskutimit. Vetëm për zgjedhje lokale do të jetë,” tha Abdixhiku shkurt për mediat, raporton Gazeta Express.
Deklarata e tij vjen në kohën kur është përfolur se në këtë takim mund të diskutohet edhe për krizën politike dhe bllokadën në Kuvend pas zgjedhjeve të përgjithshme.
Zyrtarë të tjerë politikë nuk e kanë përjashtuar mundësinë që në të ardhmen të zhvillohen dy palë zgjedhje paralelisht. Nënkryetarja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, tha se nëse vazhdon bllokada, mund të kërkohet një marrëveshje politike për të shkuar në zgjedhje të reja.
“Ne nuk jemi kundër mbajtjes së dy palë zgjedhjeve, edhe pse pa konstituim të Kuvendit nuk mund të ndodhë zyrtarisht. Por kjo mund të zgjidhet përmes një marrëveshjeje të re politike,” deklaroi Haxhiu.
Edhe kreu i Nismës, Fatmir Limaj, konfirmoi pjesëmarrjen në takim dhe theksoi rëndësinë e dialogut për tejkalimin e ngërçit institucional.
Presidentja Osmani ka ftuar subjektet politike për konsultim më 4 qershor, pas së cilës pritet të caktojë zyrtarisht datën e zgjedhjeve lokale.