Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj situatës me mbeturinat në Prishtinë, duke e cilësuar si nisje të parakohshme të fushatës zgjedhore përmes sabotimit dhe krizave artificiale. Sipas tij, qëllimi i kësaj situate është të dëmtohet puna e LDK-së dhe e kryetarit Përparim Rama, por ai thekson se “nuk e ndaloni LDK-në e Përparimin kështu”.
“Fushata në Prishtinë paska nisur. Me mbeturina. Lodhët. Edhe keq. E gjitha, për hiçgjë”, shkruan Abdixhiku, duke shtuar se kjo është një përpjekje e ulët që vetëm sa ngjall keqardhje.
Ai kritikon koordinimin mes “sabotuesve” dhe siç i quan, “mendimtarëve parapolitikë”, të cilët, sipas tij, kanë bashkëpunuar për të krijuar këtë krizë me qëllim politik.
“Në vend të ideve dhe alternativave për qytetin, po përdorin sabotimin dhe bllokadën si mjet politik”, thotë ai, duke akuzuar se Ndërmarrja “Pastrimi” po refuzon qëllimisht të kryejë detyrat e saj.
Abdixhiku pretendon se kjo ndërmarrje është marrë nën kontroll nga kundërshtarë politikë të cilët e mbajnë jashtë menaxhimit të komunës dhe po e përdorin për qëllime elektorale.
“Këta që sot bëjnë politikë përmes mbeturinave, janë të njëjtit që e kanë kapur ndërmarrjen për pastrimin e tyre. Qyteti është plot me bërllok, por ndërmarrja refuzon të punojë. Dhe kur komuna përpiqet të angazhojë alternativa të tjera, ata sërish bllokojnë në asamble”, shkruan ai.
Sipas Abdixhikut, gjithçka është pjesë e një skenari të orkestruar: “Skenari gati, telefonat gati, fotografitë po. Qyteti mbulohet me mbeturina, e pastaj fushata fillon me akuzën ‘komuna s’po punon’”.
Postimi i plotë: