Abdixhiku i përgjigjet Krasniqit: Askush nuk ka shumicën, nevojiten ide të reja për zgjidhje
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj deklaratës së kreut të PDK-së, Memli Krasniqi, i cili ka kërkuar që opozita e djeshme të formojë qeverinë me Bedri Hamzën në krye. Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku ka theksuar se aktualisht askush nuk e ka shumicën për të formuar qeverinë dhe se vendi ka nevojë për një zgjidhje reale dhe ide të reja.
“Deri më tani kemi dëgjuar vetëm insistim në dëshira të njëjta partiake që nuk përcillen me një shumicë reale. Askush sot nuk e ka shumicën”, ka shkruar ai.
Në prag të seancës së 15-të për tentimin e konstituimit të Kuvendit, Abdixhiku shprehet se kjo situatë po shkon drejt një bllokade të zgjatur institucionale.
“Nesër bëhet hera e 15-të që mblidhemi për të pritur rezultatin e njëjtë. Në horizont nuk duket fundi i kësaj praktike pa rezultat”, thotë ai.
Lideri i LDK-së e mirëpret ftesën për takim nga Presidentja e Kosovës, por thekson se një nismë mund të ketë sukses vetëm nëse shoqërohet me ide të reja, jo me përsëritje të qëndrimeve ekzistuese.
“Insistimi në të vjetrat, edhe në takim, nënkupton komfort dhe bllokim të mëtejmë”, shprehet Abdixhiku.
Ai gjithashtu ka adresuar edhe situatën e rëndë ekonomike në vend, duke kritikuar ngecjen e zhvillimit dhe mungesën e projekteve madhore.
“Çmimet e larta bërtasin, pagat mbesin të pamjaftueshme, faturat e energjisë rriten. Vendet përreth ndërtojnë aeroporte, spitale e centrale. Tek ne disa gjejnë komfort në shfaqje 48-orëshe pa rezultat”, shkruan ai.