Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas seancës konstituive të sotme, duke e quajtur “gabim trashanik” votën e PDK-së dhe AAK-së për zgjedhjen e Dimal Bashës si kryetar të Kuvendit.
Ai paralajmëroi se Kosova mund të përballet me një krizë të re kushtetuese, për shkak të moszgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e komunitetit jo-shumicë serb.
“E ndjej si gabim trashanik votën e dy partive tjera të ish-opozitës, PDK e AAK, që institucioneve të Kosovës t’u japin një emër të tillë. Megjithatë, ky është vullneti i 73 deputetëve të shumicës dhe LDK e respekton këtë. Por, ne nuk mund të jemi të lumtur me kualitetin e njerëzve që përfaqësojnë këto institucione”, tha Abdixhiku.
Ai shtoi se vendi rrezikon të futet në një krizë tjetër interpretimi nga Gjykata Kushtetuese, sidomos për çështjen e përfaqësimit të pakicës serbe në postin e nënkryetarit të Kuvendit:
“Është fatkeqësi që Kosova dhe institucionet e saj të mbeten peng i vullnetit të Beogradit. Ne nuk marrim pjesë në procese që nuk i konsiderojmë kushtetuese dhe për këtë arsye mbajmë qëndrim parimor.”