A fshihet diçka tjetër, përtej çështjes serbe, në mosmarrëveshjet Kosovë-SHBA?

Përkeqësimi i perceptuar i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk lidhet vetëm me çështjen e Listës Serbe dhe raportet me Serbinë, vlerëson për Radion Evropa e Lirë analisti politik nga Prishtina, Artan Muhaxhiri.

Politikologu serb, Ognjen Gogiq, beson gjithashtu se “veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara” të autoriteteve të Kosovës janë arsyeja kryesore e përkeqësimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe SHBA-së dhe shton se diplomatët amerikanë kanë paralajmëruar disa herë se Kosova, për shkak të këtyre veprimeve, po rrezikon bashkëpunimin e ndërsjellë.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar më 11 dhjetor se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shumë të mira dhe se mospajtimet lidhen kryesisht me Serbinë dhe strukturat e saj, e kurrë me çështje dypalëshe.

Ai ka shtuar se ka pasur raste kur Shtetet e Bashkuara kanë vlerësuar se qëndrimi i tij ndaj Serbisë ka qenë tepër rigoroz.

Kurti: Mospajtimet me SHBA-në, gjithmonë lidhur me Serbinë dhe strukturat e saj

Qeveria e tij, qysh në vitin e kaluar, ka nisur mbylljen e institucioneve të Serbisë në Kosovë, me arsyetimin se ato kanë qenë paralele dhe të paligjshme.

Kjo ka shkaktuar pakënaqësi në mesin e komunitetit serb, por edhe kritika të ashpra nga vendet perëndimore, për shkak se, siç është thënë, nuk është ofruar një zgjidhje alternative për sigurimin e shërbimeve për qytetarët.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë për t’i komentuar pretendimet e Kurtit, por nuk ka marrë përgjigje.

Muhaxhiri vlerëson se është naive të besohet që marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, të cilat “i tejkalojnë klasifikimet tipike politike, për shkak të ndikimit jetik që SHBA-ja ka pasur në të kaluarën e afërt të Kosovës”, mund të reduktohen në “një shpjegim të thjeshtuar ditor politik për një situatë praktikisht joekzistente”.

Gogiq, në anën tjetër, kujton se Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar dialogun strategjik me Kosovën, si pasojë e kritikave që Kurti i ka bërë Gjykatës Kushtetuese, e cila ka marrë vendime në favor të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetje nga Beogradi.

Në shtator të këtij viti, Shtetet e Bashkuara e kanë pezulluar përkohësisht këtë proces me Kosovën, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë.

Dialogu strategjik ka pasur qëllim forcimin e lidhjeve ekonomike dhe diplomatike mes dy vendeve, por veprimet e Kurtit janë parë si pengesë për përparim.

Hovenier: Deklaratat e Kurtit kundër Gjykatës Kushtetuese çuan në pezullimin e Dialogut Strategjik

A ka çështje të tjera të hapura?

Muhaxhiri thekson se Kurti, për vite me radhë, ka qenë “kritik shumë i ashpër i mënyrës se si politikanët kosovarë janë sjellë ndaj Shteteve të Bashkuara”, duke i akuzuar ata për “nënshtrim pa dinjitet”.

Pasi ka marrë pushtetin, thotë Muhaxhiri, Kurti e ka bërë të qartë se ky raport do të ndryshojë dhe do të bazohet në reciprocitet dhe barazi.

“Me ndryshimin e kësaj dinamike të marrëdhënieve të pushtetit, ai ka projektuar zbatimin e strategjive më sovrane të Kosovës dhe vendimmarrje më autonome, duke e futur vendin në një lloj faze ‘post-amerikane’, ku Uashingtoni nuk mund të llogarisë gjithmonë automatikisht në ‘po’-në e Kosovës. Megjithatë, Kurti asnjëherë nuk ka shpjeguar qartë se si synon ta diversifikojë nivelin e ndryshuar të mbështetjes së superfuqisë botërore me aleatë të tjerë globalë – gjë që është absolutisht e domosdoshme për progresin e Kosovës”, thotë Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.