Osmani me Kallasin: Diskutim për zhvillimet e fundit dhe kërkesë për heqjen e masave ndaj Kosovës

Osmani kërkon nga BE-ja heqjen e masave ndaj Kosovës në takimin me Kallasin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar në Nju Jork me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ku diskutuan për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon.

Osmani tha se ka kërkuar heqjen e masave ndëshkuese që BE-ja i ka vendosur Kosovës që nga viti 2023, duke i cilësuar ato “të padrejta” dhe të dëmshme për qytetarët. “Integrimi në BE mbetet prioriteti ynë kryesor. Në këtë frymë, ritheksova domosdoshmërinë e heqjes së masave të padrejta ndaj Kosovës”, u shpreh ajo.

Bashkimi Evropian vendosi masat pas tensioneve në veri të Kosovës, ndërsa në maj Kallas kishte paralajmëruar nisjen e heqjes graduale të tyre. Sipas burimeve nga Brukseli, disa prej lehtësimeve lidhen me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe Kornizën e Investimeve për Ballkanin Perëndimor.

Kosova mbetet i vetmi vend i rajonit pa status kandidati në BE, ndonëse kërkesa për anëtarësim është dorëzuar që në dhjetor 2022./REL