Dimal Basha mohon shkrimin kundër UÇK-së: Propagandë e rreme, si dikur kundër Rugovës
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ka reaguar ndaj akuzave se është bashkautor i një hulumtimi të vitit 2012 me përmbajtje kundër UÇK-së, duke i cilësuar ato si “raportime të rreme” dhe propagandë të orkestruar.
Ai tha se për dy mandate është përballur me sulme të vazhdueshme nga media të cilat, sipas tij, “përdorin burime nga Beogradi” për ta goditur.
“Të njëjtit e kanë bërë të njëjtën propagandë edhe kundër zv/kryeministres Donika Gërvalla për vite të tëra. Të njëjtit e quanin tradhtar presidentin historik Ibrahim Rugova. Sot po përdorin të njëjtat qarqe, që dikur lobonin edhe për ndarjen e Kosovës e krijimin e Listës Serbe,” tha Basha.
Kryeparlamentari shtoi se asnjëherë nuk ka marrë vendim apo veprim kundër interesave të Republikës dhe se puna e tij për gjashtë vite flet vetë.
Sa i përket hulumtimit të vitit 2012, ai sqaroi se ka qenë autor vetëm i kapitullit mbi depërtimin e islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, me fokus Kosovën, ndërsa pjesët ku përmendet UÇK-ja i ka shkruar një kolege e tij.
“Asnjë fjalë nuk e gjeni nga unë për UÇK-në. Profesoresha ime ka dërguar edhe email demantues, duke sqaruar se unë kam dorëzuar për publikim vetëm kapitullin për islamin fundamentalist dhe mbaj përgjegjësi vetëm për atë pjesë,” tha ai.
Basha gjithashtu theksoi se ka qenë kritik i raportit të Dick Martyt, duke kujtuar se në vitin 2010 kishte publikuar shkrim ku bënte thirrje që ai të luftohej, pasi sipas tij, “do t’i kushtonte shumë popullit të Kosovës”.