Arben Gashi: VV ka plan për bllokimin e institucioneve, Kosova rrezikon kolaps
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka thënë se Kuvendi duhet të zhbllokohet dhe institucionet të themelohen sa më shpejt, duke akuzuar Vetëvendosjen se po përpiqet me vetëdije të bllokojë procesin.
Sipas tij, kjo u pa menjëherë pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, kur VV kërkoi “shkelje kushtetuese” dhe më pas e përqendroi obstruksionin tek zgjedhja e nënkryetarit serb.
“Që Vetëvendosje ka plan për bllokimin e institucioneve – nuk ka më asnjë dyshim. Pasi nuk patën sukses në tërësi, vendosën të shfrytëzojnë ndjeshmërinë për nënkryetarin serb, duke llogaritur në reagim më të zbehtë të partive tjera”, tha Gashi.
Ai paralajmëroi se mungesa e institucioneve do të sjellë pasoja të rënda: “Rezultati? Vendi mbetet pa institucione. Prishtina e Gjilani pa buxhet. Shumë shpejt, nëse nuk ka reagim me lidership të qartë politik – e gjithë Kosova rrezikon kolaps institucional.”
Sipas tij, politika është futur në pikën më të ulët, duke parë vetëm përfitimet momentale, ndërsa LDK, siç tha, do të mbetet forca vizionare dhe zgjidhëse e situatës.