Liburn Aliu jep dorëheqje pas zgjedhjes së Dimal Bashës: Nuk përputhet me idealin tim për Republikën
Ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka dhënë dorëheqje nga posti i tij, duke e lidhur vendimin me zgjedhjen e Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit.
Në reagimin e tij, Aliu shprehet i zhgënjyer me zhvillimet e fundit dhe thekson se kjo zgjedhje bie ndesh me idealin e tij për Republikën.
“Dua t’ju njoftoj që sapo e dorëzova te Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, letrën e dorëheqjes sime nga detyra e Ministrit. Dorëheqja ime vjen pas zgjedhjes së djeshme të kryetarit të Kuvendit. Pas votimit, e kam njoftuar Kryeministrin Kurti për vendimin tim. Konsideroj që zgjedhja e djeshme e Kryetarit të Kuvendit, institucionit më të lartë ku vendosen ligjet dhe jep llogari qeveria, nuk është në frymën e në lartësinë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua”, ka shkruar Aliu.
Burime brenda VV bëjnë të ditur se ai mund të tërhiqet edhe nga vetë Lëvizja Vetëvendosje, duke e bërë dorëheqjen e tij një goditje të rëndë për partinë në pushtet.