Aksident i rëndë në Korroticë të Drenasit, humb jetën një person
Një aksident tragjik trafiku ka ndodhur pas mesnate në rrugën nacionale Prishtinë–Pejë, në fshatin Korroticë të Drenasit, ku një person ka humbur jetën.
Sipas Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur më 27 gusht rreth orës 02:10, kur një automjet humbi kontrollin dhe u rrokullis në shiritin e majtë të rrugës. Shoferi u dërgua menjëherë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Komoran, por mjekët konstatuan vdekjen e tij pak pas orës 03:00.
Në vendngjarje dolën njësitë policore, hetuesit dhe prokurori kujdestar, i cili urdhëroi që trupi i pajetë të dërgohet për obduksion. Hetimet mbi shkaqet e aksidentit janë ende duke vazhduar.
Zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha, tha se dyshohet që aksidenti ka ndodhur si pasojë e humbjes së kontrollit të automjetit, ndërsa bëri thirrje për kujdes të shtuar në komunikacion:
“Vetëm nga janari deri në korrik 2025, në aksidente kanë humbur jetën 59 persona, prej tyre 33 shoferë. Policia apelon te të gjithë drejtuesit që të jenë vigjilentë dhe t’i respektojnë rregullat e trafikut, pasi shkelësit do të ndëshkohen sipas ligjit në fuqi.”