Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, i është përgjigjur deklaratave të kreut të PDK-së, Memli Krasniqi, dhe deputetit Abelard Tahiri, duke thënë se qytetarët e Drenasit nuk e durojnë fyerjen.
Në një postim në Facebook, Lladrovci ka shkruar se deklaratat e tyre për qytetarët e Drenasit janë për keqardhje dhe të padenja për liderë të një partie shtetformuese.
“Pas fyerjes me ‘Dadën Razë’, dhe votimin ‘38% symbyllur’ për qytetarët e Drenasit, tashmë shpifjet po vazhdojnë në tjetër nivel. Më 12 tetor do ta shihni forcën e moralin e qytetarëve të Drenasit, të cilët nuk e durojnë as fyerjen, e as nënçmimin”, ka shkruar ai.
Lladrovci shtoi se vota e qytetarëve do të jetë për “Drenasin Kampion”, që sipas tij është votë për qeverisje të mirë, transparente e llogaridhënëse dhe kundër “bedelëve e keqbërësve”.
“Drenasi është zemra e Kosovës!”, përfundoi ai.