Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka ripërsëritur qëndrimin se zgjidhja për krijimin e institucioneve duhet të vijë përmes bisedimeve për ndërtimin e një shumice parlamentare.
“Në politikë duhet të bisedohet, të ketë takime dhe të veprohet me përgjegjësi. Ata që udhëheqin parti dhe institucione publike kanë detyrim të tejkalojnë interesat personale dhe dallimet provinciale, për të gjetur një gjuhë të përbashkët”, tha Limaj.
Sipas tij, rruga e vetme demokratike është formimi i një shumice të qartë parlamentare, e cila nis me përzgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe më pas kalon në formimin e Qeverisë dhe mbështetjen e saj përmes legjislacionit.
Limaj theksoi se ende nuk ka marrë ftesë nga presidentja Vjosa Osmani për takimet e thirrura me partitë, por shprehu gatishmëri të plotë për pjesëmarrje.
“Nëse na fton presidentja, do të jem i pari që do të përgjigjem. Para dy muajsh u linçova kur thashë se për çështje nacionale duhet të ulemi me të gjithë. Qëndroj prapa asaj që kam thënë”, u shpreh ai.
Ai bëri të ditur se Nisma ka disa propozime që do t’i paraqesë nëse merr pjesë në takim, por se duhet parë fillimisht përmbajtja dhe qëllimi i ftesës.