Thaçi deklarohet i pafajshëm për akuzën e re për “nxitje” në rastin e drejtësisë
Hashim Thaçi është deklaruar i pafajshëm për formën e re të përgjegjësisë penale për “nxitje”, e shtuar pas një vendimi të Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara në Hagë. Deklarata e tij u dorëzua me shkrim nga mbrojtja më 24 prill 2025.
Kjo formë e re përgjegjësie u konfirmua pas vendimit të gjyqtares paraprake Marjorie Masselot, e cila miratoi ndryshimin e aktakuzës, duke aplikuar nenin 32 (3) të Kodit Penal për “shtytje në kryerjen e veprës penale të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”.
Gjykata e Apelit pranoi pjesërisht ankesën e Prokurorisë, duke shtuar se Thaçi mund të jetë përgjegjës për nxitjen e Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut dhe Isni Kilajt për të penguar personat zyrtarë. Kjo përfshin veprimet që dyshohet se janë ndërmarrë gjatë vizitave të tyre në objektet e paraburgimit në vitin 2023.
Përveç Thaçit, në këtë rast janë të përfshirë edhe Smakaj, Fazliu, Kilaj dhe Hajredin Kuçi. Të gjithë përballen me akuza për pengim të drejtësisë, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.
Sipas aktakuzës, Thaçi ka vepruar individualisht dhe në bashkëpunim me grupe të organizuara për të ndikuar në dëshmitarë dhe procesin gjyqësor gjatë kohës sa ishte në paraburgim për akuzat e mëparshme për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.