Ramadan Nishori: Dy burra kërkuan ndihmë pas rrëfimit tim – ndihem krenar dhe mirënjohës
Ramadan Nishori, i mbijetuari i dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ka rrëfyer se deklarata e tij publike më 14 prill ka nxitur edhe të tjerë të ndërmarrin hapin për të kërkuar ndihmë.
“Jam shumë i lumtur dhe krenar që pas rrëfimit tim, dy burra kanë ardhur në shoqatën KCRT dhe kanë kërkuar ndihmë. Vetëm ata dy janë shumë për mua. Ndihem mirënjohës ndaj shoqërisë kosovare për mbështetjen,” ka thënë Nishori në një intervistë për “Interaktiv Talks” me gazetarin Xhemajl Rexha.
Ai ka kujtuar momentet e dhunimit në shtator të vitit 1998 në Stacionin e Policisë serbe në Drenas, ku një polic shqiptar ndaloi njërin nga sulmuesit. Pas arrestimit, Nishori kaloi nëpër burgjet e Prishtinës, Lipjanit dhe përfundoi në Nish të Serbisë deri në mars të vitit 2001, duke mbijetuar edhe Masakrën e Dubravës.
Rrëfimi i tij i hapur para familjes, siç tha ai, e ka bërë të ndihet “babai më i lumtur në botë”.
Ai u bëri thirrje të gjithë të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës që të kërkojnë ndihmë profesionale, duke theksuar se për të kjo ka qenë shpëtimtare.