Dy zyrtarë policorë nga Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Pejë janë arrestuar sot nga hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Sipas IPK-së, arrestimi ka ardhur pas informacioneve të pranuara nga një qytetar, i cili ka pretenduar se dy policët i kishin kërkuar para për të mos i shqiptuar një gjobë gjatë një kontrolli rrugor.
“Inspektorati Policor i Kosovës ka pranuar sot informacione nga një qytetar që pretendonte se dy zyrtarë policorë nga Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Pejë kishin keqpërdorur detyrën zyrtare. Sipas qytetarit, ata e kishin ndaluar në një pikë kontrolli dhe i kishin kërkuar një shumë parash për të mos i shqiptuar gjobë,” thuhet në njoftimin e IPK-së.
Pas veprimeve hetimore paraprake, të dy zyrtarët janë arrestuar nën dyshimin për veprën penale “Marrja e ryshfetit”, dhe me vendim të prokurorit të rastit, ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Për të parandaluar çdo ndikim në hetim dhe për të ruajtur integritetin e procesit, IPK ka rekomanduar suspendimin e dy policëve nga detyra.
“Veprimet e mëtejme do të ndërmerren në përputhje me kompetencat ligjore të IPK-së dhe në bashkëpunim me prokurorinë përkatëse,” thuhet më tej në deklaratë.
IPK falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe thekson përkushtimin e saj për forcimin e integritetit brenda Policisë së Kosovës. Po ashtu, bëhet e ditur se çdo informacion i raportuar përmes Linjës së Kaltër pa pagesë (0800 03 333) trajtohet me profesionalizëm dhe konfidencialitet të plotë.