Gazeta gjermane “Bild” raporton se Italia po përgatitet për një tërheqje të mundshme të trupave amerikane nga Kosova.
Duke u bazuar në burimet e saj, “Bild” thekson se kjo situatë mund ta lërë Evropën të vetme përballë ndikimit të Serbisë dhe presidentit të saj, Aleksandar Vuçiq.
“Sipas informacioneve të ‘Bild’, Italia po përgatitet për skenarin e një tërheqjeje të mundshme të trupave amerikane nga Kosova. Një lëvizje e tillë do ta linte Ballkanin nën presionin e Serbisë dhe aleatëve të saj”, thuhet në raportimin e gazetës.
Në artikull theksohet gjithashtu shqetësimi i madh që ekziston në disa vende evropiane për ndikimin e bisedimeve amerikano-ruse në këtë çështje.
“Presidenti amerikan Donald Trump ka përjashtuar një tërheqje të plotë të trupave nga Evropa. Megjithatë, sipas burimeve të ‘Bild’, shërbimet perëndimore të sigurisë dhe politikanët kanë frikë se negociatat që po zhvillohen në Riad mund të çojnë në reduktimin e pranisë ushtarake amerikane në disa pjesë të Evropës.”
Gazeta citon edhe një zyrtar të sigurisë në Evropën Lindore, i cili vë në dukje lidhjen e kësaj çështjeje me kërkesat e dikurshme të presidentit rus Vladimir Putin.
“Sipas të dhënave tona, kjo lidhet me kërkesat e Putinit të vitit 2021 për tërheqjen e trupave amerikane nga të gjitha vendet e NATO-s që iu bashkuan aleancës pas vitit 1990”, ka thënë zyrtari.