Komisionerja për Zgjerim në BE, Marta Kos: Procesi i anëtarësimit po përshpejtohet
Në një panel diskutimi në Konferencën e Mynihut me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristjan Mickoski, komisionerja për Zgjerim në Bashkimin Europian, Marta Kos, theksoi se BE-ja po punon “dy deri në tri herë më shpejt” për të përshpejtuar procesin e zgjerimit. Kos vuri në dukje se Mali i Zi dhe Shqipëria mund të përfundojnë pjesën teknike të anëtarësimit deri në vitin 2026 ose 2027.
“Duhet të bëjmë dallimin midis pjesës teknike dhe asaj politike të procesit. Pjesa teknike mund të përfundojë me Malin e Zi dhe Shqipërinë deri në fund të 2026 ose 2027. Pastaj vjen pjesa politike, e cila varet nga vullneti i shteteve anëtare,” tha Kos. Ajo shtoi se asnjë hap i rëndësishëm nuk mund të ndodhë pa miratimin e vendeve anëtare dhe theksoi rolin e gjeopolitikës në këtë proces.
Kur u pyet nëse ky afat është realistik për Shqipërinë, kryeministri Edi Rama reagoi me një ton ironik. “Kur filluam këtë proces, flokët e mi ishin krejt të zinj dhe mjekra ime shumë më e rregulluar. Por, si adhurues i Netflix-it, do të thosha se pas asaj që pashë këto dy ditë, Netflix mund të bëjë dy seriale: një për BE-në dhe një për SHBA-në. Seriali për BE-në do të ishte për një pacient me 27 mjekë – ishin 28, por njëri u çmend dhe e la spitalin. Ndërsa seriali për SHBA-në do të ishte një spektakël me një sheriff të vetëm,” tha Rama, duke nënvizuar kompleksitetin burokratik të procesit.
Kos vuri në dukje se nuk mund të japë një afat të saktë për anëtarësimin e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, pasi secila vend ka rrugën e vet. Megjithatë, ajo shprehu besimin se gjatë mandatit të saj, dy ose tre vende të rajonit mund të përfundojnë procesin e negociatave. “Mali i Zi dhe Shqipëria janë më të përparuar në këtë proces,” tha ajo, duke lënë të kuptohet se këto dy vende janë më afër anëtarësimit.
Kos theksoi se përveç pjesës teknike, të cilën e bazohet në meritë, ekziston edhe nevoja për vullnet politik nga ana e shteteve anëtare, duke e bërë këtë proces jo vetëm teknik, por edhe politik.